Takim ndërmjet Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Republikës së Shqipërisë

Prishtinë, 15/10/2020

Një delegacion i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, Znj. Ledina Beqiraj, qëndroi për vizitë në Agjencinë për Pronësi Industriale

Gjatë takimit u diskutuan mënyrat e bashkëpunimit të zyreve homologe në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunim ky i formalizuar me marëveshjen e bashkëpunimit, arritur gjatë vitit 2018. 

Me këtë rast, Nezir Gashi, Drejtor i Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës, e cilësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë. Ai theksoi se shkëmbimi i përvojave në mes këtyre dy institucioneve është ndihmesë e madhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj fushe në të dyja vendet.

Gashi, me këtë rast, bëri të ditur se që nga fillimi i vitit 2007 e deri më sot kjo agjenci ka pranuar 36 mijë e 80 aplikime për pronësi industriale, si: patenta, marka tregtare, dizajne industriale dhe tregues gjeografikë.

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithshme për Pronësi Industriale e Shqipërisë, Ledina Beqiraj Agalliu u zotua se do të vazhdojnë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Agjencinë për Pronësi Industriale.

Ajo theksoi se organizimi i trajnimeve për stafin, aktivitetet promovuese, shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy institucioneve do të jenë vetëm disa nga veprimet mbështetëse për avancimin e Kosovës në fushën e pronësisë industriale.

Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kryesisht në promovimin e pronësisë industriale si dhe forcimin e sistemeve kombëtare të pronësisë industriale. Për impelmentimin e marrëveshjes janë krijuar grupet punuese, por aktivitetet e parashikuara të realizohen në fillim dhe periudhën e dytë të viti janë shtyrë për shkak të pandemisë COVID 19.

Qëllimi i bashkëpunimit është të arrihen objektivat të cilat përfshijnë shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencës, informacionit dhe publikimeve në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunimit reciprok në harmonizimin e legjislacionit, politikave straregjike dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e pronësisë industriale.