U SHËNUA DITA BOTËRORE E PRONËSISË INTELEKTUALE DHE INOVACIONIT
Prishtine,
29/04/2024
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbajti konferencën vjetore për shënimin e “Ditëve të Pronësisë Intelektuale dhe Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, tha se motoja e këtij viti “Rëndësia e inovacionit dhe krijimtarisë në ndërtimin e së ardhmes tonë të përbashkët”, thekson synimin e Qeverisë për ta zhvilluar dhe forcuar pronësinë intelektuale, inovacionin dhe kreativitetin, si dhe për të shpalosur potencialin e industrisë, për të qenë shtytës kryesor për zhvillim ekonomik, social dhe mjedisor dhe për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.
Ministrja Hajdari foli për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar miratimin e ndryshimeve legjislative të vitit 2023 në fushën e pronësisë industriale në përputhje me Aquies të BE-së, si dhe për Programin për Pronësi Industriale 2024-2026 me synim fuqizimin e Sistemit të Pronësisë Industriale sipas praktikave më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të nxitet rritja ekonomike, zhvillimi social dhe teknologjik në vend, si dhe të forcohen të drejtat e pronësisë industriale dhe të luftohet falsifikimi.
Gjersa theksoi progresin e punës së Agjencionit të Pronësisë Industriale gjatë vitit 2023, Ministrja Hajdari i dha rëndësi edhe arritjeve të fundit në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, duke theksuar krijimin e Fondit të Inovacionit në kuadër të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, sipas praktikave më të mira evropiane.
Ajo njëherit, i dha rëndësi programeve përkrahëse direkte financiare të MINT ndaj bizneseve fillestare dhe NVM-ve në rritje të inovacionit, ndërtimit dhe funksionalizimit të parqeve industriale dhe teknologjike, inkubatorëve të biznesit dhe qendrave të inovacionit në regjionet tjera të vendit, si dhe kllasterëve e hapësirave tjera të përbashkëta me synim përfitimin e njohurive dhe shkathtësive të reja për zhvillim dhe transformim industrial në vendin tonë.
“Duke promovuar një kulturë të inovacionit dhe duke mbështetur nismat inovative, Kosova mund të forcojë sektorët e saj ekonomik dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar”, theksoi Ministrja Hajdari.
Në këtë ngjarje folën edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani, Shefja e Seksionit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim në BE, Znj. Annacarin Platon dhe Shefi i Misionit i Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Z. Eric Dietz.
Në kuadër të konferencës u zhvillua edhe diskutim i frytshëm në panel me përfaqësues institucional nga ZKM, MINT, MKRS, MFPT dhe nga sektori privat.