Ligjëratë për Inovacionin dhe Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale në Fakultetet Inxhinierike të UP-së
Prishtine,
23/04/2025
Më 23 prill 2025, në objektet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ndërtimtarisë dhe atij të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, u mbajt ligjërata me temën “Inovacioni dhe Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale”, në praninë e studentëve, profesorëve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Në hapje të ligjëratës, fjalë përshëndetëse dhanë Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, z. Mirlind Bruçi, dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, z. Isak Shabani.
Ligjërata u zhvillua sipas agjendës së paraparë, ku u prezantuan tri komponentë kyçe të sistemit të pronësisë intelektuale:
- Agjencia për Pronësi Industriale prezantoi procesin dhe rëndësinë e mbrojtjes së patentave dhe dizajneve industriale.
- Zyra për të Drejtat e Autorit trajtoi temën e të drejtës së autorit, me theks të veçantë tek programet kompjuterike.
- Sektori i Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës foli për rolet dhe përgjegjësitë e doganës në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Takimi u përmbyll me një diskutim të hapur, gjatë të cilit pjesëmarrësit shtrojnë pyetje dhe ndanë komente mbi temat e trajtuara.
Ky aktivitet u organizua me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe fuqizimit të njohurive të studentëve mbi rëndësinë e mbrojtjes së inovacionit dhe pronësisë intelektuale në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë.





