Studentët e Fakultetit Juridik u njohën me sistemin e mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale në Kosovë

Prishtine, 24/04/2025

Në kuadër të ligjëratës së Prof. Ass. Dr. Luljeta Plakolli-Kasumi nga Katedra e së Drejtës Civile në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, sot u zhvillua një aktivitet informues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga tri institucione kyçe në fushën e pronësisë intelektuale në Kosovë: Agjencia për Pronësi Industriale, Zyra për të Drejtat e Autorit, dhe Dogana e Kosovës.

Gjatë takimit, studentët patën mundësi të njihen nga afër me:

  • Rolin dhe kompetencat e Agjencisë për Pronësi Industriale në mbrojtjen e markave tregtare, patentave dhe dizajneve industriale;
  • Përgjegjësitë e Zyrës për të Drejtat e Autorit, me fokus të veçantë në të drejtën e autorit dhe sfidat që paraqiten në kontekstin e zhvillimeve teknologjike;
  • Kontributin e Doganës së Kosovës në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në kufi, përmes parandalimit të hyrjes së produkteve që shkelin këto të drejta.

Ky aktivitet u zhvillua me qëllim të fuqizimit të njohurive të studentëve në fushën e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe rëndësisë së saj në sistemin juridik dhe ekonomik të vendit.

Diskutimet dhe ndërveprimet gjatë sesionit u vlerësuan lartë si nga studentët, ashtu edhe nga përfaqësuesit institucionalë, duke treguar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe institucioneve publike.