MINT shënon Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale 2025
Prishtine,
29/04/2025
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 2025, Agjencia për Pronësi Industriale (API) në kuadër të MINT, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Doganën e Kosovës, organizoi ngjarjen me temën "Pronësia Intelektuale dhe Muzika", nën patronatin e Ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari.
Në fjalimin e saj, Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë që muzika ka si një formë universale e shprehjes krijuese dhe shembull konkret se si të drejtat e pronësisë intelektuale japin kuptim dhe mbrojtje krijimtarisë sonë. Ajo vlerësoi punën dhe kontributin e artistëve duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së identitetit të tyre përmes regjistrimit të markave tregtare, si dhe rolin e kësaj mbrojtjeje në ruajtjen e pasurisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministrja theksoi se kjo ngjarje ishte një mundësi për të reflektuar mbi rolin e muzikës, kreativitetit dhe inovacionit, duke theksuar se puna për të mbështetur krijuesit dhe artistët duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit, jo vetëm më 26 prill.
Në vazhdim, Ministrja Hajdari prezantoi arritjet kryesore të API-së në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale gjatë katër viteve të fundit:
✅ Përfundimi i reformës ligjore dhe harmonizimi i plotë me acquis të BE-së.
✅ Miratimi i Rregullores së re për Strukturimin e Agjencisë pas 12 vitesh.
✅ Miratimi i Programit për Pronësinë Industriale 2025–2027 dhe planit të veprimit.
✅ Zgjidhja e 748 rasteve të shkeljeve të markave tregtare nga 911 lëndë të trashëguara.
✅ Regjistrimi i 7699 objekteve të pronësisë industriale, përfshirë marka, dizajne dhe patenta.
✅ Regjistrimi i parë i Treguesve Gjeografik në Kosovë për “Djathin e Sharrit” dhe “Verërat e Rahovecit”, si dhe njohja e produkteve ndërkombëtare si Cognac dhe Gorgonzola.
✅ Ardhja e mbështetjes financiare nga SECO (Zvicër) në vlerë prej 750,000 CHF për fuqizimin e sistemit të IP-së në Kosovë.
✅ Marrëveshja me WIPO për digjitalizimin e plotë të proceseve në API.
✅ Nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e EFTA-së, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në përmbyllje, Ministrja Hajdari theksoi se këto rezultate janë fryt i një vizioni të qartë politik, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, me synim ndërtimin e një Kosove moderne ku inovacioni dhe kreativiteti mbrohen dhe promovohen.
Agjencia për Pronësi Industriale shpreh falënderim për të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët që kontribuojnë në fuqizimin e sistemit të pronësisë industriale dhe intelektuale në vendin tonë.













