Takime me Bizneset e Rajonit të Prishtinës
Prishtine,
25/04/2025
Agjencia për Pronësi Industriale (API) mori pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Departamenti i Industrisë, në bashkëpunim me Drejtoritë e Zhvillimit Ekonomik të Komunave të Rajonit të Prishtinës.
Takimi, i cili u mbajt më 24 prill 2025 në Prishtinë, kishte për qëllim fuqizimin e dialogut ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, shkëmbimin e përvojave dhe adresimin e sfidave për zhvillimin industrial në rajon.
Gjatë këtij takimi, API prezantoi rëndësinë e objekteve të pronësisë industriale dhe ndikimin e tyre në rritjen ekonomike dhe inovacionin. Pjesëmarrësit u informuan mbi procedurat dhe përfitimet e regjistrimit të markave tregtare, patentave dhe dizajneve industriale, si dhe mbi rolin e API-së në mbështetjen e bizneseve për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale.
Ky takim shërbeu si një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, duke kontribuar në zhvillimin e politikave më efikase për sektorin industrial në Kosovë.