Ligjëratë në AAB: Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale në Kosovë

Prishtine, 26/04/2025

Më 26 prill 2025, në ambientet e Kolegjit AAB, u mbajt ligjërata me temën “Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale në Kosovë”, e organizuar në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për këtë fushë.

Takimi u hap nga përfaqësues të Kolegjit AAB, pasuar nga prezantimet e përfaqësuesve të tri institucioneve kyçe që veprojnë në fushën e pronësisë intelektuale në vend.

Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale, z. Avdi Krasniqi, prezantoi rëndësinë e mbrojtjes së inovacioneve, patentave, dizajneve dhe markave tregtare.

Më pas, znj. Zjarrta Osmani, nga Ministria e Kulturës, foli për të drejtën e autorit dhe rëndësinë e mbrojtjes ligjore të krijimeve artistike dhe multimediale.

Në fund, znj. Sadie Topojani, Udhëheqëse e Sektorit për Pronësi Intelektuale në Doganën e Kosovës, shpalosi rolin e Doganës në parandalimin e hyrjes së produkteve të falsifikuara dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale në kufi.

Ngjarja përfundoi me një diskutim të hapur dhe sesion pyetje-përgjigje me pjesëmarrësit, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe interesimin për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë.