Agjencia për Pronësi Industriale mori pjesë në Takimin Rajonal për Treguesit Gjeografikë në Shkup
Prishtine,
30/05/2025
Me datat 26–27 maj 2025, në Shkup u mbajt ngjarja rajonale “Western Balkan GI Practitioners Network 2025 Regional Encounters”, me temën Treguesit Gjeografikë: Trashëgimi e Përbashkët, Cilësi e Certifikuar – Lidhja mes Komuniteteve Rurale dhe Konsumatorëve. Ky takim mblodhi përfaqësues nga institucionet përkatëse, organizata ndërkombëtare dhe prakticienë të treguesve gjeografikë nga i gjithë Ballkani Perëndimor.
Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës ishte pjesë aktive e këtij takimi, ku u.d. drejtori aktual i Agjencisë mori pjesë në panelin e dedikuar për mbështetjen institucionale për Treguesit Gjeografikë (GI). Gjatë diskutimit, drejtori prezantoi punën e bërë ndër vite nga Agjencia për avancimin e mbrojtjes së treguesve gjeografikë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale dhe institucionet partnere.
Gjithashtu, u prezantuan planet e ardhshme të Agjencisë për forcimin e kuadrit ligjor dhe promovimin e regjistrimeve të reja të produkteve me tregues gjeografikë.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje rajonale përforcon angazhimin e Agjencisë për të kontribuar në zhvillimin rural të qëndrueshëm dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes mbrojtjes efektive të treguesve gjeografikë në Kosovë.



