U shënua Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

Prishtine, 26/04/2018

Agjencia për Pronësi Industriale, Zyra për të Drejtat e Autori dhe të Drejtat e Përafërta dhe Dogana e Kosovës, organizuan konferencën kombëtare “ Të Drejtat Pronësore Intelektuale”

Në konferencë morën pjesë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e autorizuar dhe të ftuarit e tjerë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në fjalën e tij u zotua në përkrahjen e vazhdueshme karshi forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë. Forcimi i këtij sistemi është prioritet i ministrisë dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit” me BE-në

Ndër të tjera, Ministri tha se bashkë me institucionet tjera po e luftojnë piraterinë, falsifikimin dhe dukuri të ngjashme, që janë preokupim dhe problem i shumë vendeve të botës, prandaj, është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë.

Në pjesën e dytë të konferencës u prezentuan të arrituarat e institucioneve ndërlidhëse të pronësisë intelektuale. Ztr. Dukaj në emër të Agjencisë për Pronësi Industriale, prezentoi raportin vjetor, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Agjencia.

Ztr. Dukaj, tha se Agjencia po punon vazhdimisht dhe ka bërë progres të theksuar në shumë drejtime, si shpejtimi i kohës së ekzaminimit, përmirësimi i shërbimeve për komunitetin e biznesit, draftimi i dokumenteve strategjike, digjitalizimi i punës së Agjencisë dhe organizimi i aktiviteteve vetëdijësuese.