Takim ndërmjet Drejtorit të API-së dhe Atasheut të Ambasadës Franceze

Prishtinë, 31/10/2018

Treguesi Gjeografikë në Kosovë

Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale, z. Nezir Gashi priti sot në takim Atasheun për Bashkëpunim nga Ambasada e Francës në Kosovë, z. Joseph Giustiniani dhe Menaxherin e Projekteve nga Instituti Kosovar për Pronësi Intelektuale, z. Plorat Pervizaj.

Në këtë takim u diskutua për të arriturat në aktivitetet e përbashkëta për forcimin e Sistemit të Treguesve Gjeografikë në Kosovë. Me këtë rast, Drejtori i Agjencisë z. Gashi prezantoi zhvillimet e fundit për përgatitjet për seminarin e radhës që do të mbahet në Kosovë për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës.

Z. Gashi falenderoi Ambasadën e Francës në Kosovë për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Kosovës, sidomos në aspektin e ngritjes së kapaciteteve dhe arritjen e rezultateve në drejtim të përgatitjes për regjistrimin dhe mbrojtjes së “Djathit të Sharrit” me Tregues Gjeografikë. Z. Giustiniani nga ana tjetër vlerësoi punën e shkëlqyer të Agjencisë për Pronësi Industriale, falënderoi z. Gashi për punën e shkëlqyer në fushën e treguesve gjeografikë dhe të pronësisë intelektuale në përgjithësi, dhe konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme që do ta ketë ky institucion.

Takimi u mbajt me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe përgatitjeve për seminarin dhe punëtoritë që do të organizohen në Kosovë për treguesit gjeografikë të cilat janë përkrahur nga TAIEX, Zyra e BE-së në Kosovë dhe nga Ambasada Franceze përmes përkrahjes së ofruar nga Instituti Kosovar për Pronësi Intelektuale.

Seminari i radhës do të jetë nga data 12 deri 16 Nëntor 2018. Fokusi kryesor do të jetë Hartimi i Specifikacioneve të Produktit të Djathit të Sharrit. Pjesëmarrës do të jenë të gjitha institucionet relevante dhe fermerët – prodhuesit e Djathit të Sharit dhe Shoqata e tyre.