Takim ndërmjet Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Republikës së Shqipërisë

Prishtinë, 19/12/2019

Një delegacion i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, Znj. Ledina Beqiraj, qëndroi për vizitë në Agjencinë për Pronësi Industriale. Në takim ishte i pranishëm dhe Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale Z. Gashi me përfaqësuesit sektorial të Agjencisë.

Gjatë takimit u diskutuan mënyrat e bashkëpunimit të zyreve homologe në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunim ky i formalizuar me marëveshjen e bashkëpunimit, arritur gjatë vitit 2018.

Zyret u pajtuan që të krijojnë grupe punuese të cilat do të merren me përgatitjen e një strategjie për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Aktivitetet e përbashkëta do të fokusohen kryesisht në promovimin e pronësisë industriale si dhe forcimin e sistemeve kombëtare të pronësisë industriale.

Qëllimi i bashkëpunimit është të arrihen objektivat të cilat përfshijnë shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencës, informacionit dhe publikimeve në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunimit reciprok në harmonizimin e legjislacionit, politikave straregjike dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e pronësisë industriale.