Studentë të Kolegjit për Biznes dhe Teknologji vizituan Agjencinë për Pronësi Industriale

Prishtinë, 15/01/2020

Një grup studentësh të Kolegjit për Biznes dhe Teknologji vizituan Agjencinë për Pronësi Industriale për tu njohur më afër mbi procedurat e regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale, të fokusuar për të mësuar më shumë mbi regjistrimin e markave tregtare.

Studentët i mirëpriti Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale, Z. Nezir Gashi, i cili bëri një prezantim gjeneral rreth proceduarave të regjistrimit të markave tregtare, si dhe rreth të drejtave dhe obligimeve që dalin nga regjistrimi i atyre të drejtave. Ai potencoi se Agjencia për Pronësi Industriale është përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të shpikjes, markës tregtare, dizajnit industrial, emërtimit të origjinës, treguesve gjeografikë dhe topografive të qarqeve të integruara.

Studentët ishin kureshtarë të dinë më konkretisht rreth procedurave të regjistrimit të një marke tregtare, rreth të drejtave autoriale, si dhe rreth formave konkrete të regjistrimit të veprimtarive të ndryshme të fushës së pronësisë industriale.