26 Prilli - Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

Prishtine, 26/04/2020

Sot Kosova, sikurse e gjithë bota, shënon 26 Prillin, Ditën Botërore të Pronësisë intelektuale në mes të ballafaqimit me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi COVID-19. Çdo segment i shoqërisë është prekur nga ky realitet i ri, që nga krijimtaria artistike e deri te zhvillimi ekonomik.

Mirëpo, shpirti novator i njeriut nuk rresht së krijuari dhe për të shpikur zgjidhje që i përgjigjen kërkesave të këtij realiteti të ri. Kjo po bëhet e mundur çdo ditë e më shumë falë revolucionit digjital.   

Autorët dhe ata që kanë në pronësi krijimtari janë gjithmonë në kërkim të publikut të ri në platforma digjitale. Kjo kërkon përshtatje, por në të njëjtën kohë, edhe mbrojtje e krijimtarisë në platforma që mund t’i qasesh nga e gjithë bota.

Inovacioni për të ofruar produkte e shërbime për komunitetin vendor si dhe propozuar zgjidhje për atë global, është më i kërkuar se ndonjëherë tjetër. Çfarëdo licence e fituar është një mundësi për kapitalizimin e investimit në epokën digjitale.

Duke zhvilluar dhe aplikuar teknologjinë në ofrimin e produkteve, ne bëhemi pjesë e uljes së ndikimit njerëzor në mjedis, që është në harmoni me moton globale të këtij 26 prilli: “Inovoni për një të ardhme të gjelbër”.

#WorldIPDay #Kosova