Takim ndërmjet Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Republikës së Shqipërisë

10/02/2022

Një delegacion i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, Znj. Rovena Beqiraj, qëndroi për vizitë në Agjencinë për Pronësi Industriale

Gjatë takimit u diskutuan mënyrat e bashkëpunimit të zyreve homologe në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunim ky i formalizuar me marëveshjen e bashkëpunimit, arritur gjatë vitit 2018. 

Me këtë rast, Isa Dukaj, Zv. Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës, e cilësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë. Ai theksoi se shkëmbimi i përvojave në mes këtyre dy institucioneve është një ndihmesë e madhe për zhvillimin dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes me pronësi industriale.

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithshme për Pronësi Industriale e Shqipërisë, Rovena Beqiraj, u zotua se do të vazhdoj mbështetjen dhe bashkëpunimin me Agjencinë për Pronësi Industriale përmes aktiviteteve të përbashkëta për ta forcuar sistemin e pronësisë industriale.

Qëllimi i bashkëpunimit është të arrihen objektivat të cilat përfshijnë shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencës, informacionit dhe publikimeve në fushën e pronësisë industriale, bashkëpunimit reciprok në harmonizimin e legjislacionit, politikave straregjike dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e pronësisë industriale. Për arritjen e objektivave do të përgatitet një plan i aktiviteteve të përbashkëta vjetore dhe do të shpeshtohen takimet në mes zyreve homologe.