26 Prill 2022 – Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

26/04/2022

Më 26 Prill të çdo viti, festohet Dita Botërore e Pronësisë Intelektulale për të promovuar rëndësinë e mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale.

Për këtë vit Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), zgjodhi të festoj me moton: “Pronësia Intelektuale dhe Rinia”.

Motoja e këtij viti, e zgjedhur nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale i dedikohet rinisë e cila nëpërmjet kreativitetit dhe zgjuarsisë po nxisin ndryshimet dhe po trasojnë shtigje drejt një të ardhme më të mirë për globin.

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale promovon zgjuarsinë, kreativitetin, vizionin dhe guximin e krijuesve, shpikësve dhe ndërmarrësve të rinj për të punuar për një botë më kreative.

Agjencia për Pronësi Industriale ka organizuar disa aktivitete për shënimin e kësaj dite, dhe promovuar mbrojtjen e produkteve me pronësi industriale. Këto aktivitete të organizuara me pjesë të ndryshme të shoqërisë kanë rezultuar me rritjen e numrit të aplikimeve për objekte të pronësisë industriale nga aplikues vendor.

Aktivitet e fundit u fokusuan në promovimin e pronësisë në media. Emisioni i mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës iu dedikua pronësisë intelektuale. Drejtori, Dukaj përfaqësoi Agjencinë. Z. Dukaj foli mbi regjistrimin e pronësisë industriale me theks regjistrimin e shpikjeve përmes patentave.

Në Radio Televizionin 21, Agjencia u përfaqësua nga znj. Nderime Dumani. Gjatë emisionit Znj. Dumani foli mbi regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale dhe përfitimet e bizneseve pas regjistrimit të tyre.

Po ashtu një delegacion nga Agjencia mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Pronësisë Intelektuale në Republikën e Shqipërisë. Ky aktivitet është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta në mes të dy zyreve homologe. Vitin tjetër Kosova do të jetë nikoqir i organizimit të Konferencës Kombëtarë të Pronësisë Intelektuale.

Aktivitetet me stundentë përfshinë ligjeratën e mbajtur në Fakultetin Juridik, ku Drejtori Dukaj foli mbi zbatimin e pronësisë industriale, të drejtat eksluzive të fituara me regjistrimin e tyre dhe përfitimet nga regjistrimi i objekteve të pronësisë industriale.