Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

27/04/2017

Agjencia e Pronësisë Industriale në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtat e Autorit, Doganën e Kosovës, Inspektoratin e Tregut dhe Policinë e Kosovës, organizoi Konferencën Kombëtare "Të Drejtat Pronësore Intelektuale".

Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Znj. Hykmete Bajrami, tha se përdorimi i pa autorizuar i markës tregtare; prodhimi, eksportimi, shitja e patentave pa licencë; falsifikimi i produkteve; pirateria dhe dukuri të ngjashme janë preokupim i shumë vendeve të botës, prandaj, është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë.

Ministrja Bajrami, shprehu përkrahjen e saj të vazhdueshme karshi forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë përmes Agjencisë për Pronësi Industriale e cila vepron në kuadër të MTI-së . Forcimi i një sistemi të tillë është prioritet i Ministrisë dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në, tha ajo.

“Ne duam të sigurohemi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojmë zhvillimet e reja teknologjike, nxisim inovacionin dhe shpikjet, dhe të mbrojmë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare” tha ministrja Bajrami .

Bajrami, nënvizoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes API-së, Inspektoratit të Tregut, Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, është e përkushtuar që të sigurojë një ambient sa më të shëndoshë për konsumatorët e Republikës së Kosovës, dhe se do të vazhdojë inspektimi dhe kontrollimi i personave juridikë dhe fizikë që bëjnë shkelje të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.