U mbajt Konferenca për shënimin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe Inovacionit

26/04/2023

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë shënuar Ditën e Inovacionit dhe Ditën ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale me temën “Gratë në Inovacion dhe Kreativitet”.

Kryeministri Albin Kurti konfirmoi mbështetjen në vazhdimësi të Qeverisë për inovacionin e në veçanti për gratë, duke përmendur veprimet e drejtpërdrejta që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit, e poashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pronës intelektuale. Ai deklaroi se mbështetja për ndërmarrëset gra është investim, pra nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shprehu besimin në parimet e gjithëpërfshirjes dhe barazisë si shtytese të zhvillimit socio-ekonomik dhe demokracisë së një kombi, duke theksuar pjesëmarrjen në rritje të grave, në drejtimet e studimit në shkencë, teknologji, inxhineri e matematikë, dhe se si ndërmarrëse të suksesshme me kreativitetin dhe idetë novatore, ato po krijojnë e lënë gjurmë të dukshme në ekonominë e Kosovës.

Ngjarja e sotme përfundoi me një panel diskutimi për politikat, masat dhe veprimet e qeverisë, bizneseve dhe organizatave joqeveritare, për Pronësinë Intelektuale dhe nxitjen e Inovacionit dhe Kreativitetit. Pjesëmarrës në këtë panel ishin Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Isa Duka, zv/drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale në MINT, Zjarrta Osmani, drejtore e Zyrës për të Drejtat e Autorit në MKRS, znj. Luljeta Plakolli - Kosumi, prodekane e Fakulteti Juridik, Ermal Sadiku drejtor i “Link Plus” dhe kryetar i Bordit STIKK, Bleta Thaçi drejtore e “Open Data Kosova”, Teuta Sahatçiu ambasadore “Women in Tech Kosova”, Vatra Abrashi drejtore e Autostrada Bienale dhe Laura Zherka drejtore e Departamentit të Inovacionit në MINT.

Këtë konferencë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre delegacionet nga Drejtoria për Pronësi Industriale nga Republika e Shqipërisë dhe delegacioni nga Enti Shtetëror për Pronësi Industriale i Republikës së Maqedonisë së Veriut.