ÇFARË ËSHTË MARKA TREGTARE

Marka tregtare është një shenjë dalluese, e cila identifikon mallra apo shërbime të ofruara nga një individ apo ndërmarrje e caktuar. Origjina e saj e ka zanafillën nga kohët e lashta, kur artizanët riprodhuan nënshkrimet e tyre ose “markat” në produktet e tyre artistike apo të përdorimit të përditshëm. Gjatë viteve, këto marka u zhvilluan për të arritur në sistemin e sotëm të regjistrimit e mbrojtjes. 

ÇFARË SJELL MBROJTJA E MARKËS TREGTARE

Marka e regjistruar tregtare i ofron mbrojtje ligjore pronarit të saj, duke i siguruar të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë, me qëllim identifikimin e mallrave ose shërbimeve apo të autorizojë dikë tjetër për ta përdorur atë në këmbim të pagesës.                                           

Mbrojtja zgjat për një periudhë 10-vjeçare, por ajo mund të ripërtërihet për një kohë të pakufizuar përtej këtij afati, nëse paguhen tarifat e ripërtëritjes.

Mbrojtja e markës tregtare zbatohet nga gjykata, e cila ka kompetencën për të bllokuar shkeljet e markave tregtare.

Mbrojtja e markave tregtare pengon, në të njëjtën kohë, përpjekjet e konkurrentëve të pandershëm, si falsifikuesit, për të përdorur shenja dalluese të ngjashme për tregtimin e produkteve apo shërbimeve më të dobëta.            

CILAT MARKA TREGTARE MUND TË REGJISTROHEN

Mundësitë janë thuajse të pakufizuara. Markat mund të jenë kombinim fjalësh, shkronjash dhe numrash. Ato mund të përbëhen nga skica, simbole, shenja tredimensionale, si forma dhe ambalazhimi i mallrave, shenja  dëgjimore, si tingujt muzikorë ose vokalë, aromat ose ngjyrat që përdoren si tipare dalluese. 

Përveç markave që identifikojnë burimin tregtar të mallrave dhe shërbimeve, ekzistojnë edhe kategori  të tjera të markave tregtare:       

  • Markat kolektive
  • Marka certifikuese përdoren si tregues i cilësisë, prejardhjes, metodës së prodhimit apo karakteristikave tjera të përbashkëta të mallrave apo shërbimeve.

ÇFARË TË DREJTASH KA PRONARI I MARKËS TREGTARE

Pronari i një marke tregtare ka të drejtën të vendosë se kush mund ta përdorë ose jo markën tregtare. Pronari i markës tregtare mund t’iu japë autorizim apo licencë palëve të tjera për përdorimin e markës, në bazë të kushteve për të cilat është rënë dakord në mënyrë të ndërsjellë. Pronari mund t’ia shesë, gjithashtu, të drejtën dikujt tjetër, i cili, më pas, bëhet pronari i ri i kësaj marke tregtare. Nëse regjistrimi i markës nuk ripërtërihet, mbrotja e markës tregtare mbaron me përfundimin e afatit të saj dhe pronari nuk zotëron më të drejta ekskluzive mbi markën.

APLIKIMI PËR MARKË TREGTARE

Duhet ndërmarrë hapat procedural në vijim : 

1) Paraqitja e aplikimit për regjistrim të markës tregtare, që përmban:      

  • Formularin e aplikimit për regjistrimin e markës,
  • Dukjen e shenjës,
  • Listën e mallrave dhe shërbimeve ku do të zbatohet shenja, duke treguar kategoritë e klasifikimit të Nicës,
  • Informatat e aplikuesit,
  • Autorizimin, kur aplikimi dorëzohet përmes përfaqësuesit të autorizuar
  • Dëshmin e prioritetit, nëse kërkohet e drejte e prioritetit

2) Ekzaminimi,                                           

3) Publikimi i aplikimit për markë tregtare,        

4) Kundërshtimi, brenda 3 muajve,      

5) Regjistrimi ose refuzimi i markës tregtare.

KUSHTET PËR REGJISTRIMIN E MARKËS TREGTARE

Shenja duhet të përmbushë disa kushte, me qëllim që të gëzojë mbrojtjen si markë tregtare. Ajo duhet të jetë e dallueshme, në mënyrë që konsumatorët të mund ta shquajnë si shenjë identifikuese të një produkti të caktuar, si edhe nga markat e tjera identifikuese të produkteve.  Ajo nuk duhet të keqinformojë,  të mashtrojë apo të vejë në lajthitje konsumatorët dhe as të shkelë rendin e moralin publik. Së fundi, të drejtat për të cilat aplikohet nuk mund të jenë të njëjta apo të ngjashme me të drejtat që i janë dhënë tashmë një pronari tjetër marke.