Pronësia Intelektuale ju ofron të drejta ligjore, të cilat rezultojnë nga veprimtaria intelektuale në fushat industriale, shkencore dhe artistike. Shtetet kanë nxjerrë ligje për mbrojtjen e pronësisë intelektuale për dy arsye kryesore. Së pari, të ofrojnë mbrojtje ligjore për të drejtat morale dhe ekonomike të krijuesve në krijimet e tyre dhe të drejtat e publikut për qasje në këto krijime. Së dyti, të promovojnë, si akt i paramenduar i politikave qeveritare, kreativitetin dhe shpërndarjen e aplikimin e rezultateve të tij, si dhe të inkurajojë tregtinë e ndershme, e cila do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik dhe social.

Qëllimi i sistemit të mbrojtjes së pronësisë intelektuale është të promovojë kreativitetin.

Pronësia intelektuale dhe ekonomia e tregut

Pronësia intelektuale po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në tregtinë ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike të shteteve. Përdorimi strategjik i patentave, markave tregtare dhe treguesve gjeografikë u ndihmon kompanive që të jenë më konkurruese dhe të suksesshme në treg dhe, kësisoj, të kontribuojnë në konkurrueshmërinë e vendit si tërësi. Pronësia intelektuale luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në promovimin e inovacionit dhe kreativitetit, por edhe për zhvillimin e punësimit dhe përmirësimit të konkurrencës.

Ajo është një element thelbësor për suksesin e tregut. Një ndërmarrje e cila dëshiron të jetë konkurruese dhe të arrijë realizim tregtar të suksesshëm të prodhimit të saj duhet të rinovojë dhe përsosë vetveten vazhdimisht, në mënyrë që të krijojë dhe ruajë avantazhe konkurruese që shpijnë në rezultate të larta dhe afatgjata. Ndërmarrja duhet të reagojë me kohë në sfidat në treg dhe madje t[i parashikojë ato. Inovacioni dhe përsosja e përhershme janë formulë kyçe për një sukses stabil të pronës intelektuale.

Pronësia intelektuale dhe jeta jonë

Ditëve të sotme pronësia intelektuale është kthyer në një pjesë të rëndësishme të jetës sonë të përditshme, meqë shumë produkte që shiten dhe blihen bazohen në pronën intelektuale, duke pasur si rrjedhim një ndikim ne cilësinë e jetës sonë.

Pronësia intelektuale dhe tregtia

Pronësia intelektuale është kthyer në një pjesë qendrore të tregtisë ndërkombëtare që prej themelimit të Organizatës Botërore të Tregtisë. Mbrojtja e fuqishme e pronës intelektuale është parakusht i domosdoshëm për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për integrimin në tregun evropian.