ÇFARË JANË TREGUESIT GJEOGRAFIKË DHE EMËRTIMET E ORIGJINËS?
Treguesi gjeografik identifikon një produkt me origjinë nga një zonë e caktuar, cilësia, reputacioni ose karakteristikat e të cilit lidhen me origjinën e tij gjeografike. Të paktën njëra nga fazat e prodhimit, përpunimit ose përgatitjes duhet të zhvillohet në atë zonë.
Emërtimi i origjinës identifikon një produkt, cilësitë ose karakteristikat e të cilit lidhen në thelb ose ekskluzivisht me mjedisin gjeografik, përfshirë faktorët natyrorë dhe njerëzorë. Prodhimi, përpunimi dhe përgatitja e produktit zhvillohen tërësisht në zonën e përcaktuar.
ÇFARË SJELL MBROJTJA E TYRE?
Regjistrimi mbron emërtimin nga përdorimi i paautorizuar, imitimi, keqpërdorimi dhe praktikat që mund t’i çorientojnë konsumatorët për origjinën e produktit.
Kjo mbrojtje ndihmon në ruajtjen e reputacionit të produkteve vendore, promovimin e traditave të prodhimit dhe forcimin e pozitës së prodhuesve në treg.
Në Kosovë, regjistrimi bëhet pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (API).
KUSH MUND T’I PËRDORË?
Emërtimin e regjistruar mund ta përdorin prodhuesit ose përpunuesit që i plotësojnë kushtet e specifikacionit të produktit dhe janë regjistruar në Regjistrin e Përdoruesve të Autorizuar.
Përdoruesit duhet të respektojnë vazhdimisht kërkesat për origjinën, karakteristikat, mënyrën e prodhimit dhe kontrollin e përputhshmërisë së produktit.
SA ZGJAT MBROJTJA?
Mbrojtja e treguesit gjeografik ose emërtimit të origjinës fillon nga regjistrimi dhe vazhdon për sa kohë ai mbetet i regjistruar.
E drejta e përdorimit nga përdoruesi i autorizuar zgjat 10 vjet nga data e regjistrimit të tij dhe mund të ripërtërihet për periudha të tjera dhjetëvjeçare, pa kufizim, duke përmbushur kushtet ligjore.
KUSH MUND TË KËRKOJË REGJISTRIMIN?
Aplikimin mund ta paraqesë një shoqatë prodhuesish ose përpunuesish që punojnë me të njëjtin produkt.
Në rastet e veçanta të përcaktuara me ligj, mund të aplikojë edhe një person i vetëm fizik ose juridik.
SI BËHET REGJISTRIMI?
Aplikimi paraqitet pranë API-së dhe përfshin, ndër të tjera:
Formularin e plotësuar dhe të dhënat për aplikuesin;
Emërtimin për të cilin kërkohet mbrojtja;
Përshkrimin e produktit dhe përcaktimin e zonës gjeografike;
Specifikacionin e produktit, që përcakton karakteristikat dhe kushtet e prodhimit;
Përshkrimin e lidhjes ndërmjet produktit dhe origjinës së tij gjeografike;
Dëshminë e pagesës së tarifave përkatëse;
Autorizimin, nëse aplikimi paraqitet përmes përfaqësuesit;
Për emërtimet me origjinë jashtë Kosovës, dëshminë e mbrojtjes në vendin e origjinës.
Pas shqyrtimit dhe plotësimit të kërkesave ligjore, aplikimi publikohet në Buletinin Zyrtar të API-së. Personat që kanë të drejtë sipas ligjit mund të paraqesin kundërshtim brenda tre muajve nga data e publikimit.
Nëse plotësohen kushtet ligjore dhe nuk ka pengesa nga kundërshtimi, API nxjerr vendim për regjistrimin dhe e shënon emërtimin në regjistrin përkatës.
Pas regjistrimit të emërtimit, prodhuesit ose përpunuesit që i përmbushin kushtet mund të aplikojnë për regjistrim si përdorues të autorizuar.