Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Patentat

ÇFARË ËSHTË PATENTA?

Patenta është një e drejtë ekskluzive që jepet për një shpikje në fushën e teknologjisë. Shpikja mund të jetë një produkt ose proces që ofron një zgjidhje të re teknike për një problem.

Në Kosovë, patenta jepet nga Agjencia për Pronësi Industriale (API) dhe siguron mbrojtje në territorin e Republikës së Kosovës.

Afati i patentës është 20 vjet nga data e paraqitjes së aplikimit, me kusht që të paguhen tarifat vjetore për mirëmbajtjen e saj dhe të përmbushen kërkesat e tjera ligjore.

CILAT JANË TË DREJTAT E PRONARIT TË PATENTËS?

Pronari i patentës ka të drejtë:

  • Të ndalojë, sipas kushteve të përcaktuara me ligj, prodhimin, përdorimin, tregtimin ose importimin pa pëlqimin e tij të produktit të mbrojtur me patentë;
  • Të ndalojë përdorimin e paautorizuar të procesit të patentuar dhe shfrytëzimin e produkteve të përftuara drejtpërdrejt nga ky proces;
  • T’u japë personave të tjerë të drejtën e shfrytëzimit të shpikjes përmes licencës;
  • Ta shesë ose ta bartë pronësinë mbi patentën;
  • Të kërkojë mbrojtje ligjore kundër shkeljes së të drejtave të tij.

Shtrirja e mbrojtjes përcaktohet nga kërkesat patentore. Me përfundimin e mbrojtjes, përfundojnë edhe të drejtat ekskluzive që rrjedhin nga ajo patentë.

PËRSE JANË TË RËNDËSISHME PATENTAT?

Patentat nxisin inovacionin dhe investimet në kërkim e zhvillim. Ato u krijojnë shpikësve dhe bizneseve mundësi për të përfituar nga shpikjet e tyre, përmes shfrytëzimit tregtar, licencimit ose bartjes së të drejtave.

Përmes publikimit të informacionit teknik mbi shpikjen, patentat pasurojnë njohuritë dhe ndihmojnë në zhvillimin e zgjidhjeve të reja teknologjike.

CILAT SHPIKJE MUND TË MBROHEN ME PATENTË?

Për t’u mbrojtur me patentë, shpikja duhet t’i plotësojë tri kushte kryesore:

  • Të jetë e re: të mos jetë pjesë e njohurive të mëparshme të bëra publike;
  • Të përmbajë hap shpikës: të mos rrjedhë në mënyrë të dukshme nga njohuritë e mëparshme për një person të aftë në fushën përkatëse teknike;
  • Të jetë e zbatueshme në industri: të mund të prodhohet ose të përdoret në një fushë të industrisë, përfshirë bujqësinë.

Shpikja duhet gjithashtu të mos përfshihet në përjashtimet ligjore nga patentueshmëria. Ndër to janë zbulimet, teoritë shkencore, metodat matematikore, krijimet estetike dhe metodat e biznesit si të tilla.

Përjashtohen edhe varietetet bimore ose shtazore dhe metodat kirurgjikale, terapeutike ose diagnostikuese që zbatohen në trupin e njeriut apo të kafshëve. Ky përjashtim nuk i përfshin automatikisht produktet ose substancat që përdoren në këto metoda.

SI MERRET PATENTA?

1. Paraqitja e aplikimit

Aplikimi paraqitet pranë API-së dhe duhet të përmbajë:

  • Formularin e plotësuar të kërkesës për dhënien e patentës;
  • Përshkrimin e qartë dhe të plotë të shpikjes;
  • Një ose më shumë kërkesa patentore që përcaktojnë mbrojtjen e kërkuar;
  • Vizatimet, kur ato janë të nevojshme për shpjegimin e shpikjes;
  • Përmbledhjen e shkurtër të shpikjes;
  • Dëshminë e pagesës së tarifës përkatëse;
  • Autorizimin, nëse aplikimi paraqitet përmes përfaqësuesit;
  • Dokumentacionin për të drejtën e përparësisë, nëse kjo e drejtë kërkohet.

2. Shqyrtimi i aplikimit

API verifikon kërkesat formale dhe shqyrton kushtet ligjore për njohjen e patentës. Nëse konstatohen mangësi, aplikuesi njoftohet për plotësimin ose korrigjimin e tyre brenda afatit përkatës.

3. Njohja dhe publikimi i patentës

Kur plotësohen kushtet ligjore dhe paguhen tarifat përkatëse, API nxjerr vendim për njohjen e patentës, e regjistron dhe e publikon në Buletinin Zyrtar.

Si rregull, vendimi nxirret pas kalimit të 18 muajve nga data e aplikimit ose nga data e përparësisë, nëse është kërkuar. Aplikuesi mund të kërkojë edhe njohjen dhe publikimin e parakohshëm, sipas kushteve ligjore.

4. Mbajtja e patentës në fuqi

Për ta mbajtur patentën në fuqi, pronari duhet të paguajë tarifat vjetore të mirëmbajtjes brenda afateve të përcaktuara.

5. Dorëzimi i dëshmisë së patentueshmërisë

Pronari duhet t’i dorëzojë API-së dëshminë përkatëse që shpikja i plotëson kushtet e patentueshmërisë, si rregull, deri në përfundimin e vitit të nëntë të afatit të patentës.

Nëse procedura në zyrën përkatëse ende nuk ka përfunduar, pronari duhet ta njoftojë API-në brenda këtij afati, për të mundësuar zgjatjen sipas ligjit. Mosdorëzimi i dëshmisë sipas kërkesave ligjore sjell skadimin e patentës në përfundim të vitit të dhjetë.

 

Kliko këtu për të mësuar më shumë për procedurën e regjistrimit të patentës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors