Agjencia për Pronësi Industriale, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), mori pjesë në takimet e fokus grupeve rajonale të mbajtura në Ferizaj dhe në rajonin e Pejës, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe bizneseve prodhuese.
Takimet kishin për qëllim informimin e bizneseve mbi aktivitetet dhe politikat në mbështetje të zhvillimit industrial, diskutimin e sfidave dhe nevojave të sektorit prodhues, si dhe fuqizimin e dialogut institucional për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes.
Në kuadër të agjendës, përfaqësuesit e Agjencisë për Pronësi Industriale prezantuan temën “Markat tregtare dhe patentat”, duke i njoftuar bizneset me rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë industriale, procedurat e regjistrimit të markave tregtare dhe patentave, si dhe përfitimet që sjell mbrojtja e inovacionit dhe identitetit të produkteve në treg.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e ndërgjegjësimit të bizneseve për mbrojtjen e aseteve të tyre intelektuale, veçanërisht për sektorin prodhues dhe përpunues, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Agjencia për Pronësi Industriale mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes dhe informimit për bizneset vendore, përmes aktiviteteve vetëdijesuese dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet relevante dhe komunitetin e biznesit.
