Në kuadër të aktiviteteve për Muajin e Pronësisë Intelektuale, Agjencia për Pronësi Industriale dhe Dogana e Kosovës zhvilluan një aktivitet edukativ me të rinjtë në BONEVET Gjakovë.
Përmes një prezantimi interaktiv dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e mbrojtjes së ideve, shpikjeve dhe inovacionit, me fokus te patentat, markat tregtare dhe dizajnet industriale, si dhe mënyrën se si një ide mund të zhvillohet nga një projekt kreativ në një produkt me vlerë në treg.
Në pjesën e tyre, anëtarët e Task Forcës Kundër Piraterisë prezantuan rëndësinë e luftimit të produkteve të falsifikuara dhe piraterisë, si mbrojtje për krijuesit, inovatorët dhe konsumatorët.
Aktiviteti u mirëprit nga të rinjtë e BONEVET, të cilët treguan interes të veçantë për mënyrën se si idetë e tyre mund të mbrohen dhe të shndërrohen në mundësi për zhvillim në të ardhmen.




