Prishtine
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një sesion informativ me temën “Nga Krijimtaria në Kapital: Roli i Pronësisë Intelektuale në Rritjen dhe Zhvillimin e Biznesit.”
Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe Agjencia për Pronësi Industriale, përfaqësuar nga z. Isa Dukaj, i cili ishte një ndër folësit kryesorë së bashku me znj. Zjarrta Osmani nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Diskutimi u fokusua në rëndësinë thelbësore të të drejtave të pronësisë intelektuale në nxitjen e inovacionit, rritjes së biznesit dhe rritjes së konkurrueshmërisë në treg. Pjesëmarrësit patën mundësi të informohen mbi rolin e institucioneve përgjegjëse në Kosovë për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave, si dhe për sfidat dhe mundësitë që ekzistojnë në shfrytëzimin e sistemit të PI-së.
Agjencia për Pronësi Industriale rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe kreativitetin përmes një sistemi të fuqishëm dhe efikas të mbrojtjes së pronësisë industriale.

