Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Lansohet projekti rajonal EU4IP-WB për Ballkanin Perëndimor – Agjencia për Pronësi Industriale pjesë e ngjarjes zyrtare në Alicante

Delegacioni i Agjencisë për Pronësi Industriale, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, po merr pjesë në lansimin zyrtar të projektit rajonal “EU4IP Western Balkans (EU4IP-WB)”, i cili u mbajt më 20 maj 2026 në selinë e Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësi Intelektuale (EUIPO) në Alicante, Spanjë.

Projekti EU4IP-WB financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga EUIPO, me qëllim të forcimit të sistemeve të pronësisë intelektuale në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe afrimit gradual të tyre me standardet dhe acquis të Bashkimit Evropian në fushën e pronësisë intelektuale.

Ky projekt rajonal do të zgjasë 36 muaj dhe do të fokusohet në përafrimin legjislativ me standardet e BE-së, fuqizimin e zyrave të pronësisë intelektuale, ngritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e pronësisë intelektuale, veçanërisht për të rinjtë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pjesëmarrja e Agjencisë në këtë projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sistemit të pronësisë industriale dhe inovacionit në Republikën e Kosovës, si dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet evropiane në fushën e pronësisë intelektuale.

Në kuadër të vizitës në Alicante, delegacioni i Agjencisë po merr pjesë edhe në Konferencën Ndërkombëtare “6th IP Case Law Conference”, e organizuar nga EUIPO më 21–22 maj 2026, ku po diskutohen zhvillimet më të fundit në praktikën gjyqësore dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në nivel evropian.

Në këtë konferencë po marrin pjesë mbi 1600 pjesëmarrës nga 85 shtete të botës, duke e bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e pronësisë intelektuale. Pjesëmarrja e Kosovës në mesin e shteteve pjesëmarrëse dëshmon për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Agjencisë për Pronësi Industriale dhe përfshirjen aktive në iniciativat dhe zhvillimet evropiane në fushën e pronësisë intelektuale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors