Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, është organizuar një aktivitet sensibilizues në Shkollën Profesionale “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet relevante në fushën e pronësisë intelektuale.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Dogana e Kosovës, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe Agjencia për Pronësi Industriale, të cilët prezantuan rolin dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.
Gjatë aktivitetit, theksi i veçantë u vendos në rolin e Doganës së Kosovës në luftimin e produkteve të falsifikuara dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale në praktikë. Përmes shembujve konkretë nga terreni, nxënësit patën mundësinë të kuptojnë më mirë pasojat e përdorimit dhe shpërndarjes së produkteve të falsifikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë drejtim.
Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve për respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe promovimin e një kulture të përgjegjshme ndaj përdorimit të produkteve dhe përmbajtjeve të mbrojtura.
Agjencia për Pronësi Industriale do të vazhdojë të mbështesë aktivitete të tilla edukative dhe sensibilizuese, në bashkëpunim me institucionet partnere, me qëllim forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale dhe edukimin e gjeneratave të reja mbi rëndësinë e saj.