Prishtine
Më 16 prill 2024, në ambientet e Kolegjit UBT, u mbajt takimi me temën “Inovacioni dhe Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale”, një ngjarje me rëndësi për studentët dhe profesionistët e fushave të teknologjisë, inxhinierisë dhe biznesit, e cila kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe thellimin e njohurive mbi mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Takimin e hapi Rektori i UBT-së, z. Edmond Hajrizi, i cili foli për rëndësinë e ndërlidhjes së inovacionit me pronësinë intelektuale dhe prezantoi ekosistemin unik të UBT-së si një platformë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e ideve kreative, kërkimit shkencor dhe mbështetjes së sipërmarrjes inovative në Kosovë dhe më gjerë.
Pas fjalës hyrëse, z. Avdi Krasniqi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale, prezantoi rolin e Agjencisë në mbrojtjen e inovacioneve, patentave, dizajneve industriale dhe markave tregtare, duke theksuar rëndësinë e këtyre mjeteve ligjore për sektorët e teknologjisë dhe biznesit.
Më tej, znj. Zjarrta Osmani, nga Ministria e Kulturës ofroi një paraqitje të qartë mbi mbrojtjen e krijimeve artistike, multimediale dhe programeve kompjuterike, si dhe sfidat dhe mundësitë që lidhen me to.
Në vijim, znj. Sadie Topojani, Udhëheqëse e Sektorit të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës, diskutoi mbi angazhimin e Doganës në brojtjen e produkteve origjinale dhe në luftën kundër falsifikimeve, si një hallkë kyçe në zinxhirin e mbrojtjes së inovacioneve.


