Prishtinë
Përmes organizimit të Konferencës Kombëtare “Të Drejtat Pronësore Intelektuale”, u shënua Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i ka dhënë përkrahje forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, duke shtuar se do të jetë prioritet i ministrisë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Inspektoratit të Tregut, është në bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha institucionet kosovare të pronësisë intelektuale. Konsideroj që bashkërisht kemi arritur të kompletojmë infrastrukturën ligjore primare dhe sekondare për të siguruar mbrojtje sa më efikase të të drejtave pronësore intelektuale; të themelojmë dhe vazhdojmë me takimet e rregullta të Këshillit Shtetëror për Pronësi Intelektuale, Task Forcën Kundër Piraterisë, dhe tani angazhohemi më shumë në informimin e qytetarëve tanë për rëndësinë e këtyre të drejtave në mënyrë që qytetarët dhe komunitetin i biznesit të jenë të më të vetëdijshëm për rëndësinë e mbrojtjes së produkteve me pronë industriale”, theksoi Shala. Shala tha se Agjencia e Pronësisë Industriale gjatë vitit të kaluar ka bërë një punë të shkëlqyer në shqyrtimin e aplikimeve dhe organizimin e aktiviteteve promovuese.
Ministri bëri të ditur se MTI është e përkushtuar që të sigurojë një ambient sa më të shëndoshë për konsumatorët tanë. “Dhe jo vetëm kaq, ne duam të sigurohemi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojmë zhvillimet e reja teknologjike, nxisim inovacionin dhe shpikjet, dhe të mbrojmë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare”, tha ministri Shala.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë z. Gashi në fjalimin e tij u fokusua në të arriturat e Agjencisë përgjatë vitit të kaluar.
Z. Gashi tha se raporti për vitin 2018 karakterizohet me shtim të numrit të aplikimeve për marka tregtare me 8.95%, dhe rritjen e të hyrave nga taksa për 54.86%.
Gjatë vitit 2018 është rritur dhe numri i aplikimeve vendore për marka tregtare me 40%. Rritja e numrit të aplikimeve sidomos e atyre vendore i atribuohet dhe aktiviteteve të realizuara nga API për ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e mbrojtjes së produkteve dhe shërbimeve me markë tregtare, si seminare, konferenca dhe promovim në media, të mbajtura gjatë këtij viti kalendarik.




